Në Ditën Botërore të Kursimeve, mbi 1,7 triliardë lekë janë në banka
Bota ka zgjedhur një ditë të vetme, që e kujton prej 100 vitesh të promovojë virtytin e shpenzimeve të mençura si dhe kursimin e parave në banka.
Kursimi është jetik për të pasur një mirëqënie të qëndrueshme dhe ky duhet të bëhet një zakon që në moshë të hershme.
Po si mund të kursehet dhe cilat janë rrugët që sjellin që një qindarkë e kursyer të bëhet një qindarkë e shumëfishtë në planin afatgjatë nëse investohet në vendin e duhur?
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë për RTSH se është mirë që njerëzit të ndërgjegjësohen se sa të rëndësishme janë kursimet në jetën e gjithësecilit.
Ai kujton se shumë njerëz i drejtohen moshës së pensionit ndaj dhe duhet që të përgatiten.
Në një ditë të veçantë si kjo është shqiptarët duhet të kujtohen të bëjnë atë që bëjnë shumica e njerëzve në botë, të kursejnë për një ditë më të mirë.
Zoti Brumbulli thotë se ka shume skema kursimi, por është mirë që çdo kush nga ne duhet të kursejë 10-15 për qind të të ardhurave.
Në Shqipëri shënohet gjithnjë në rritje vlera e kursimeve të shqiptarëve, ndërsa janë diversifikuar edhe fushat e kursimit dhe entet ku kursehet. Sot ka më shumë se 1,7 triliardë lekë si kursime në banka të shqiptarëve.
Gazetar Bardhi Sejdarasi