Në gjurmët e kompozitorëve të shquar / Veprat e kompozitorit shkodran Jetmir Zaganjori frymëzohen nga folku
Shkodra mbetet qyteti nga i cili kanë dalë muzikantë të shquar me një kontribut të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare. Kjo traditë e mirë është ruajtur dhe trashëguar deri në brezat më të rinj.
Jetmir Zaganjori është njëri prej tyre. Kompozitori i ri shkodran jeton prej vitesh në kryeqytet por ai është produkt i qytetit që e lindi, Shkodrës dhe e formoi artistikisht atë.
Ndonëse i ri në moshë, Jetmiri ka krijuar një sërë veprash muzikore, me të cilat ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare ku edhe është vlerësuar me çmime të ndryshme. Njëra prej tyre është “Vallja Shqiptare” që nga vetë emri, e gjen muzën e frymëzimit nga folku shqiptar dhe ishte ky krijim i tij që çeli edhe stinën koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH.
Pavarësisht sukseseve, i është dashur të përballet edhe me vështirësi në rrugëtimin e tij.
Lidhja e tij me Shkodrën nga ana shpirtërore nuk është ndërprerë asnjëherë ndaj shpreh dëshirën që në një të ardhme të kontribuojë në qytetin e tij të lindjes.
Jetmir Zaganjori është shembulli i një artisti që ka vendosur t’i sfidojë vështirësitë që i dalin para duke mos u dorëzuar në rrugëtimin e tij prej profesionisti të vërtetë.