Në Hagë mbahet seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

005df936f4564b868d4ae5fbbdea60b1
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot vazhdon seanca e radhws ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Ndryshe, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dje (më 8 nëntor), Gjykata Speciale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Gjergj Dedaj ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.
Sipas mediave kosovare, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të rifillojë sot në orën 09:00 të mëngjesit ku edhe pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit tjetër të Prokurorisë.
“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Gjergj Dedaj, seanca e sotme në gjykatën Thaçi etj. gjykimi është shtyrë. Gjykimi do të rifillojë të enjten, më 9 nëntor 2023, në orën 09:00, kur pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit të radhës të SPO-së”, thuhet në njoftim.
Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët, për këtë javë janë paraparë të mbahen katër seanca.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill kurse të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore.