Në kërkim ndërkombëtar, kapet në Shënkoll 28-vjeçari, do ekstradohet drejt Spanjës
Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është kapur në Shënkoll. Policia e Shtetit bën me dije se 28-vjeçari akuzohet nga autoritetet spanjolle për trafik të lëndëve narkotike.
28-vjeçari do të ekstradohet drejt Spanjës, pasi Gjykata e Tarragonës i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.
“Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 8”, kapi në Shënkoll dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasin shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar K. B., 28 vjeç, i lindur në fshatin Domgjon, Lezhë.
Gjykata e Tarragonës, Spanjë, me vendimin e datës 28.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës”, thuhet në njoftim.
Interpol Tirana dhe Interpol Madrid po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi.