Në kërkim të ujit të pijshëm, banorët: Nga Postriba vijmë deri në Bardhaj për të mbushur ujë

Prej 4 vitesh në Postribë uji është i papijshëm për shkak të ndërtimit të gurores së Rrasekut. Për këtë arsye, banorët detyrohen që të mbushin ujë në fshatin Bardhaj. Fatmiri është 65-vjeç. Me motorin e tij bën pothuajse çdo ditë të njëjtën rrugë. Niset nga fshati Rrasek i Postribës, atje ku banon, për të mbushur ujë në zonën më të afërt , mes Bardhjave dhe Myselimit.
Me gjendje të tillë të ujit të pijshëm përballen edhe banorët e tjerë, në njësinë administrative Rrethina dhe në Postribë.
Banorët e pesë fshatrave në Njësinë Administrative Postribë detyrohen që të mbushin ujë në burimet më të afërta për shkak se uji i pijshëm është tejmase i ndotur. Sipas tyre, shkak i ndotjes është një gurore në afërsi të burimit të ujit.