Në Libi për përmbytjet, 5 shpëtimtarë grekë gjejnë vdekjen në aksident rrugor
Pesë anëtarët e një ekipi të shpëtimit të dërguar nga Greqia për të ndihmuar banorët e përmbytur të Libisë kanë humbur jetën gjatë rrugës si pasojë e një aksidenti.
Mësohet se ekipi grek përbëhej nga 16 anëtarë dhe tre përkthyes, të cilët do i bashkoheshin kolegëve me mision humanitar nga Turqia, Franca, Italia dhe Egjipti.
Grupi ishte nisur të dielën nga Athina.
Ata po transportoheshin me autobus në territorin libian, kur mjeti i tyre u përplas me një tjetër automjet që kishte pesë pasagjerë libianë përgjatë aksit mes Bengazit dhe Dernës. Nga përplasja humbën jetën edhe tre qytetarët libianë.
Trupat e viktimave janë sjellë me avion ushtarak në Greqi, ndërsa të plagosurit po marrin ndihmë mjekësore në Athinë. /Kathimerini