Në Malësi të Madhe po zhvillohet turizmi liqenor/Zëvendëskryetari i bashkisë: Në planet tona vitin që vjen është infrastruktura
E njohur si një zonë me tradita dhe histori të lashtë, në Malësi të Madhe po merr vëmendje turizmi liqenor.Dy vitet e fundit, resortet e ngritura pranë vijës liqenore favorizuar nga ndërtimi i infastrukturës rrugore, po tërheqin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, të cilët kërkojnë të njihen me kulturën, traditën dhe historinë e kësaj treve.Për nënkryetarin e bashkisë Malësi e Madhe Sytki Ndrecaj nga bregu liqenor deri tek zonat malore ky vit i ka kaluar pritshmëritë. Bashkia e Malësisë së Madhe bashkë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit , kanë në projekt ndërtimin e rrugëve të cilat të çojnë në pikat turistike duke qenë se aktualisht disa prej tyre nuk janë në gjendje të favorshme për një zonë të tillë. Nisur dhe nga numri i lartë i vendeve turistike që përfshin, Malësia e Madhe ka tërhequr një numër të madh vizitorësh. Liqeni dhe mali mund të vizitohen brenda pak minutave, ndërsa ndërtimi i disa resorteve të reja, kanë nxitur një turizëm të suksesshëm. Vermoshi, Lëpusha mbajnë rekordin e prenotimeve, ndërsa edhe zonat e tjera si Razma por dhe vija liqenore kanë një numër të lartë turistësh.