Në pranga 3 shqiptarë nga Kosova, u shisnin tritol dhe armë grupeve kriminale në Shqipëri
Një grup kriminal nga Kosova, i cili trafikonte armë dhe lëndë eksplozive në vendin tonë, është goditur nga policia. Në pranga u vunë 3 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë, banues në Kosovë. Shkatërrimi i grupit erdhi pas hetimeve 4 mujore të policisë.
3 personat nga Kosova Rigon Maliqi, 20 vjeç, Lion Pira, 25 vjeç dhe Shkëlqim Halabaku, 27 vjeç, u arrestuan në afërsi të urës së Gjolës në Krujë gjatë operacionit të koduar “The Same”.
Shqiptarëve nga Kosova iu sekuestruan edhe 203 kallëpe me lëndë plasëse të dyshuar tritol TNT, me peshë 46 kg.
Sipas policisë “kjo sasi ishte destinuar për t’u përdorur nga grupe kriminale të ndryshme, në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar edhe 3 celularë dhe 1 automjet.