Në pritje të rrugës Shirokë-Zogaj/ Banorët kërkojnë zgjerimin e rrugës për zhvillimin e turizmit
Edhe këtë sezon turistik, të gjithë ato që do të zgjedhin të frekuentojnë pikën turistike Zogaj do të përballen me rrugën jashtë standarteve. Ngushtësia e rrugës Shirokë-Zogaj dhe dëmtimi i saj vende-vende shpeshherë është bërë burim aksidentesh dhe gjithashtu ka bërë që banorët, ta ndiejnë veten të shkëputur nga qyteti i Shkodrës. Ndërkohë Bashkia e Shkodrës, por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit si njësi zbatuese ende nuk kanë një afat se kur do të nisin punimet për rrugën Shirokë-Zogaj. Burime nga bashkia Shkodër bëjnë të ditur se është miratuar leja e infrastrukturës që në qershor të 2022, por tenderi është anulluar për çështjen e pronësisë. Banorët e kësaj zone janë munduar ta zhvillojnë turizmin, edhe pse me vështirësi dhe gjithmonë përballë sfidash të shumta. Sot edhe pse Zogajn me Shirokën i ndajnë vetëm 4 kilometra, diferenca në investime ndjehet.