Në pronësi të grupit kriminal, Policia gjen mbi 32 kg kanabis në një zonë të pyllëzuar në Shkodër
Policia e Shkodrës ka gjetur në një zonë të thellë dhe të pyllëzuar të fshatit Plan rreth 32.7 kg kanabis të thatë dhe të ndarë në thasë për t’u transportuar.
Policia bën me dije se kanabisi është në pronësi të një grupi kriminal. 11 pjesëtarë të këtij grupi kriminal janë identifikuar nga policia, ndërsa 5 prej tyre janë arrestuar.
“Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve në çdo skaj të qarkut dhe hetimeve të ndjekura në vazhdimësi, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, realizuan në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, një tjetër goditje kundër veprimtarisë së një grupi kriminal në fushën e narkotikëve”, njofton Policia.
Gjatë këtij viti, Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 5 pjesëtarë të grupit, si dhe ka gjetur në fshatrat Kir dhe Plan, dhe asgjësuar në total 10 274 bimë narkotike, në pronësi të këtij grupi.