Në tetor në Shqipëri, nis në terren Censi i Bujqësisë
INSTAT ka nisur fazën përgatitore për implementimin e Censit të Bujqësisë.
Ky proces vjen pas Censit të Popullatës. Ai do të luajë një rol vendimtar në përditësimin e informacionit statistikor të nevojshëm në nivel lokal dhe rajonal dhe pasqyrimin e ndryshimeve në që kanë ndodhur në këtë sektor në më shumë se një dekadë.
Realizimi në terren i Censit të Bujqësisë planifikohet të kryhet gjatë periudhës Tetor- Dhjetor 2024.
Është përgatitur një modul pyetjesh, të cilat janë përfshirë në pyetësorin e Censit të Popullsisë dhe Banesave, me qëllim krijimin e listës së fermave bujqësore, e cila do të shërbejë si bazë zgjedhje për censin e ardhshëm të bujqësisë, kjo për arsye të mungesës së regjistrit administrativ të fermave.
Censi i Bujqësisë do të sigurojë informacione mbi module të veçanta, në të gjitha fermat bujqësore që kanë të bëjnë me: ujitjen, praktikat e menaxhimit të tokës, makineritë dhe pajisjet dhe pemëtarinë, të cilat rrjedhin nga zbatimi i rregulloreve të Komisionit Evropian mbi Vrojtimet Strukturore të Fermave, me vit reference vitin 2023, për vendet anëtare të BE.
INSTAT do të përdorë teknologjinë moderne TI për të përgatitur dhe kryer Censin në terren në mënyrë të besueshme, efikase dhe me kosto-efektivitet.