Negociatat me BE, Shqipëria fton ekspertët më të mirë t’i bashkohen ekipit negociator
Shqipëria fton të gjithë ekspertët më të mirë, brenda dhe jashtë vendit, t’i bashkohen grupit negociator të negociatave me Bashkimin Evropian. Në një thirrje publike, Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni fton më të mirët që të japin kontributin për vendin.
“Administrata Publike Shqiptare dhe skuadra jonë e negociatave është gati për t’u përballur me të gjitha sfidat e mëdha që na presin përpara. Por tani, më shumë se më parë kemi nevojë për ju, profesionistët më të mirë shqiptarë brenda apo jashtë vendit. Nëse jeni një ndër shumë ekspertët e Administratës Publike Shqiptare, ose vini nga një përvojë në shoqërinë civile, apo organizata ndërkombëtare, ejani dhe bëhuni pjesë e misionit të Republikës së Shqipërisë ne BE. Apliko dhe ti sot, që të jesh pjesë e ekipit kuqezi në Bruksel”, fton ajo.
Më 15 Tetor në Luxemburg, Shqipëria çeli grup-kapitullin kryesor atë të drejtësisë gjyqësorit, institucionet demokratike dhe reformën në administratën publike. Në mbledhjen ndërqeveritare Shqipëri-BE, angazhimi është që i gjithë procesi me grup-kapitujt që duhet të përafrohen me BE të përfundojë brenda vitit 2027.