Nëna e djali kapen duke shitur drogë, policia vë në pranga edhe blerësin nga Mali i Zi
Policia e Shkodrës ka arrestuar 4 persona, të cilët akuzohen për përfshirje në trafik droge. Burime zyrtare bënë me dije se pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, u kapën në flagrancë gjatë shitblerjes së 3.8 kilogramëve cannabis sativa, shitësit dhe blerësi i drogës, shtetas malazez. Pas hekurave ranë shtetasit; Vera Ymeri, Klintis Ymeri, (nënë e bir) Sait Fikaj dhe Igor Duretiç. Sipas policisë në fshatin Kullaj, shtetasit Klintis Ymeri dhe Sait Fikaj u kapën në flagrancë, teksa i shisnin 35-vjeçarit, malazez lëndën narkotike cannabis sativa, për sigurimin e së cilës dyshohet se kanë bashkëpunuar me shtetasen Vera Ymeri. Operacioni I koduar “Vendtakimi’ u finalizua pas 4 muajsh hetime me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.