Nënkryetari i Kuvendit, Gjekmarkaj: Parlamenti, një repart gardist. Nikolla t’i japë zë opozitës
Nënkryetari i Parlamentit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe që mazhoranca dhe opozita të arrijnë një dialog konstruktiv midis tyre.
Në një postim në rrjetet sociale, Gjekmarkaj shkruan se opozita kërkon të drejtat e saj që ia garanton edhe Kushtetuta. Sipas tij, është e papranueshme që salla e Kuvendit ku duhet të ushtrohet dialogu shndërrohet në një repart gardist.
“Një parlament që nuk respekton të drejtat e opozitës, humb funksionimim normal të tij, duke mohuar ushtrimin e përgjegjësisë për mbikëqyrjen demokratike të qeverisë.
Është e papranueshme për një vend demokratik që dialogu konstruktiv mes palëve të zëvendësohet me shndërrimin e sallës së parlamentit në repart gardist, për të shuar me forca sigurie zërin e opozitës për të drejtat e saj”, shkruan Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj i ka bërë thirrje kryeparlamentares së Kuvendit Lindita Nikolla që t’i krijojë mundësinë opozitës për të ushtruar të drejtat e saj kushtetuese, sicc janë edhe ngritja e komisioneve hetimore parlamentare.
“Me besimin e plotë se funksionimi normal i Parlamentit kërkon mbi të gjitha respektimin e opozitës, i bëj thirrje Kryetares së Kuvendit dhe mazhorancës të reflektojnë dhe ti krijojnë opozitës mundësinë për të ushtruar e qetë të drejtat e saj kushtetuese në mbrojtje të interesit të qytetarëve. Ngritja e Komisioneve Hetimore dhe heqja dorë nga emërimi i opozitës, janë parakushte për një Shqipëri të denjë për të qenë anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në BE”, shkruan më tej nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.