Nënshkruhet “Pakti Kombëtar Kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve në Shqipëri”
Është nënshkruar këtë të hënë (20 nëntor) “Pakti Kombëtar Kundër Dhunës Seksuale ndaj Fëmijëve në Shqipëri”.
Pakti u nënshkrua nga Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, Minstrja e Arsimit dhe Sportit , Ogerta Manastirliu, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu dhe Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi.
“Jemi sot këtu, katër ministrat për të bashkuar bashkë me shoqërinë civile angazhimin me qëllim mbrojtjen dhe rritjen e sigurisë së fëmijëve.
Sikurse jeni në dijeni në fillim të këtij viti të ri shkollor, kemi shpallur një paketë të re masash e cila përmblidhet në Paketën e Sigurisë në Shkolla për garantimin dhe rritjen e sigurisë në shkolla. Ndihem krenar për çfarë kemi arritur së bashku për rezultatet e kësaj pakete. Por ky është vetëm fillimi i një pune të përditshme”, tha Balla.
Ministri bëri me dije se shihet mundësia për të përfshirë brenda paketës së sigurisë në shkolla, garantimin e internetit të sigurt.
“Mbetet e rëndësishme që të zbulohet dhe të ndalet çdo lloj abuzimi dhe t’i ofrohet ndihmë kujtdo që bie pre e dhunës seksuale. Parandalimi kërkon sensibilizimin e të gjitha palëve të interesuara. Na duhet të fuqizojmë fëmijët mbi përdorimin e sigurt të teknologjive të reja duke përdorur linja telefonike të sigurta.
Po vlerësojmë mundësinë për të përfshirë brenda paketës së sigurisë në shkolla, garantimin e internetit të sigurt”, tha ministri.