Nëntoka e Lezhës, e pazbuluar – Do të nisë puna për përcaktimin e zonave të trashëgimisë kulturore
Në Lezhë është kthyer vëmendja ndaj pasurive nëntokësore që gjenden të fshehura nga historia dhe përbëjnë një vlerë historike për Lisusin e lashtë. Akademia e shkencave me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit do të kryejë studimin gjeofizik të zonës çka nënkupton kryerjen e matjeve topografike në terren për të përcaktuar vendndodhjen e zonave të trashëgimisë kulturore. Sipas arkeologut të mirënjohur Neritan Ceka që do të udhëheqë grupin e punës kjo do të jetë një pikënisje e mirë për të identifikuar pjesën historike të Lezhës që vazhdon të mbetet e pa eksploruar.
Me përfundimin e këtij studimi i hapet rrugë ekspeditave të ndryshme arkeologjike që në fakt mungojnë në Lezhë. Tashmë ky qytet do të ketë vëmendje të shtuar për sa i takon historisë së tij.
Grupi i punës që do të kryejë këto matje do të punojë në Lezhë përgjatë 9 muajve të ardhshëm dhe gjetjet do të prezantohen si një mundësi më shumë për grupet e ndryshme të ekspeditave në punën e tyre kërkimore.