“Nëse Trump do vritej, Amerika do shpërthente në luftë civile”, trondit eksperti me deklaratën
Një distancë prej më pak se 1 milimetër shpëtoi Donald Trump nga goditja fatale e plumbit, në atentatit që iu bë ish-presidentit amerikan gjatë tubimit në Pensilvani. Në studion e “Jetë Shqiptare”, eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Ledion Krisafi tha se shpëtoi jo vetëm Trump, por edhe SHBA nga një luftë civile.
Sipas tij, nëse Trump nuk do t’i kishte mbijetuar atentatit, mbështetësit e tij mund të kishin çuar në trazira në të gjithë Amerikën, madje edhe deri në luftë civile.
“Jo vetëm Trump shpëtoi për 1 apo 2 mm, por edhe SHBA edhe nga një situatë jashtëzakonisht e rëndë që mund të ishte edhe luftë civile. Ajo që ndodhi më 6 janar ku mbështetës të Trump sulmuan Kongresin, mund të kishim patur të njëjtën situatë në të gjithë SHBA. Votuesit e Trump janë votues që një pjesë janë të prirur ndaj konspiracioneve dhe ndaj vrasja e Trump do të ishte një ngjarje shumë e rëndë për SHBA që mund të kishte çuar edhe në luftë civile. Ai 1 mm që ka shpëtuar Trump ka shpëtuar edhe SHBA”, u shpreh ai.