Nesër Kuvend- Deputetët e PD dhe Arbi Agalliu interpelancë me ministren Koçiu
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu do të mbajë të enjten (4 korrik) dy interpelanca në seancën plenare, të kërkuara nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike dhe nga deputeti Arbi Agalliu.
Interpelanca me ministren Koçiu vjen pak ditë pas skandalit të zbuluar në Spitalin Onkologjik ku sipas zbulimit të Prokurorisë, pacientëve të sëmurë me tumor disa prej mjekëve nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi.
Ndaj këtij të fundit Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, për mjeken Alketa Ymeri (Pere) masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, për Emiljano Lela – Koordinator pranë Spitalit Onkologjik masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, për Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshe në QSUNT, masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”, për Drilona Kishta, masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Sakaq, në rend dite në seancën e nesërme plenare do të jetë edhe raporti vjetor i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2023; raporti vjetor i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2023; raporti vjetor i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) për vitin 2023; si dhe raporti vjetor i veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2023.
Po ashtu, në seancën plenare deputetët e Kuvendit do të diskutojnë dhe më pas hedhin për miratim edhe disa projektligje, sikurse janë: Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin e drejtësisë”; Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, i ndryshuar”; Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10 440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, i ndryshuar”; Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 162/2014 “Për mbrojtjen e cilësisë së ajrit në mjedis”, i ndryshuar”; si dhe Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit””.