Nesër nis Fest ‘62 – Provat gjenerale bëjnë bashkë të gjitha detajet, vazhdon shitja e biletave
Vetëm një ditë na ndan nga Festivali i 62 i Këngës në RTSH. Skena tashmë ka marrë formë, teksa këngëtarët dhe prezantuesit zhvillojnë provat e fundit. I dalluar për nga numri i lartë i këngëtarëve të rinj që ngjiten në skenë, ky Festival i ka lënë hapësirë të rinjve dhe në prezantim. Krisa Çaushi, e cila do të prezantojë përkrah Adriana Matoshit, Klejdi Kadiut dhe Xhuliano Dules, ndan emocionet e kësaj përvoje.
“Ishte një lajm i papritur për mua, u emocionova shumë. Ndjehem shumë e privilegjuar dhe kam kënaqësinë e madhe që të prezantoj këtë vit Festivalin e Këngës krah Adriana Matoshit, Xhuliano Dules dhe Klejdi Kadiut. Kemi goxha kimi me njëri-tjetrin, kemi dhe atë humorin me njëri-tjetrin, sidomos Xhuliano që është edhe një aktor dhe përpiqet që ta bëjë sa më komike gjënë sa më argëtuese”, u shpreh Çaushi.
Me skenar të Enkel Demit dhe në drejtimin e regjisorit Pali Kuke, është menduar edhe për detajet që identifikojnë secilin nga prezantuesit.
“Unë do të përfaqësoj të rinjtë që marrin pjesë për herë të parë në Festivalin e Këngës, janë njësoj si unë sepse edhe unë e shkel për herë të parë”, tha moderatorja.
Ndërkohë, në biletarinë e Pallatit të Kongreseve vijon shitja e biletave për 3 netët e para të Festivalit, ashtu si edhe në platformën online vivere.al. Së shpejti do të dalin edhe biletat e natës finale. Por secila prej netëve është për të mos u humbur. Mjafton të kujtojmë të ftuarin special të natës së parë, këngëtarin italian Umberto Tozzi, këngët e të cilit janë shumë të njohura edhe për publikun shqiptar.