Netanjah: Faza intensive e luftës me Hamasin pothuajse ka përfunduar
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjah (Netanyahu) deklaroi se “faza intensive” e luftimeve në Rafah në Gazën jugore, pothuajse ka përfunduar. Por, ai shtoi se lufta do të vazhdojë derisa Hamasi të largohet plotësisht nga pushteti.
Netanjah u shpreh se ushtria izraelite së shpejti do të jetë në gjendje të ridislokojë trupa në kufirin me Libanin, ku shkëmbimet e zjarrit me Hezbollahun janë përshkallëzuar.
Netanyahu gjithashtu hodhi poshtë idenë që Autoriteti Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor duhet të drejtojë Gazën në vend të Hamasit.
“Në fund, do t’ju duhet të bëni dy gjëra: do t’ju duhet çmilitarizimi i vazhdueshëm ushtarak nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit dhe do t’ju duhet të krijoni një administratë civile, shpresoj që me mbështetjen dhe menaxhimin e vendeve të caktuara në rajon, Mendoj se kjo është mënyra e duhur për të ecur përpara. Unë do t’ju them atë që nuk jam gati të bëj, nuk jam gati të krijoj një shtet palestinez atje, nuk jam gati t’ia dorëzoj Autoritetit Palestinez. Unë nuk jam gati ta bëj këtë”, tha ai.
Më shumë se një milion palestinezë po strehoheshin në Rafah përpara se Izraeli të fillonte operacionin e tij ajror dhe tokësor në qytetin jugor të Gazës, duke sfiduar thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për të mos vazhduar. Rreth 800,000 njerëz janë zhvendosur që atëherë nga Rafah, ku kushtet janë përshkruar nga agjencia e ushqimit e Kombeve të Bashkuara si “apokaliptike”.
Kalimi kufitar i qytetit me Egjiptin, një pikë hyrëse jetike për ndihmën humanitare, ka mbetur e mbyllur që kur ushtria izraelite e pushtoi atë në fillim të muajit të kaluar.
Dhe presioni ndërkombëtar mbi veprimet e Izraelit në Gaza është rritur që kur ai filloi operacionin e tij në Rafah. Muajin e kaluar, gjykata e lartë e OKB-së urdhëroi Izraelin që të ndalojë menjëherë operacionin e tij të diskutueshëm ushtarak atje, duke e quajtur situatën humanitare “katastrofike”.