Netanjahu drejt Uashingtonit: Izraeli, aleati i SHBA, kush do ta zëvendësojë Bajdenin
Vizita e kryeministrit izraelit në Uashington, e para në aleatin kryesor të vendit të tij, që nga viti 2022, është lënë në hije nga vendimi i presidentit Xho Bajden (o. Joe Biden) për t’u tërhequr si kandidat në zgjedhjet e nëntorit.
Megjithatë Benjamin Netanjahu (o. Netanyahu) tha se do të falënderonte presidentin amerikan për gjithçka që ka bërë për Izraelin gjatë gjithë karrierës së tij, ndërsa do të diskutonte me të për çështjen e lirimit të pengjeve izraelitë në Gaza, mposhtjen grupit islamik palestinez Hamas dhe përballjen me Iranin dhe grupet e armatosura që vendi islamik mbështet në rajon.
Një takim me Bajdenin është planifikuar paraprakisht për të martën nëse presidenti 81-vjeçar është shëruar nga Covid-19, ndërsa është planifikuar që Netanjahu t’i drejtohet Kongresit të mërkurën.
“Unë do t’u them miqve të mi se pavarësisht se kë zgjedh populli amerikan si presidentin e tyre të ardhshëm, Izraeli mbetet aleati i domosdoshëm dhe i fortë i Amerikës në Lindjen e Mesme,” u tha ai gazetarëve përpara se të nisej.
“Në këtë kohë lufte dhe pasigurie, është e rëndësishme që armiqtë tanë ta dinë se Amerika dhe Izraeli qëndrojnë së bashku sot, nesër dhe gjithmonë,” u shpreh Netanyahu, duke shtuar se ai do të donte të merrte mbështetjen dypartiake të Kongresit, si një hap i rëndësishëm për Izraelin.
Pas muajsh marrëdhëniesh të ftohta me Uashingtonin mbi mënyrën se si Izraeli ka kryer operacionet ushtarake në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, vizita e Netanjahut pritet të jetë një mundësi për të rivendosur raportet dypalëshe.