Netanjahu: Pas përfundimit të luftës, Izraeli do të kontrollojë sigurinë e Gazës
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ka lënë të kuptohet se pas përfundimit të luftës me Hamasin siguria e Gazës do të kontrollohet nga Izraeli.
“Izraeli do të ketë përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë në Gaza për një periudhë të pacaktuar pas përfundimit të luftës. Gaza duhet të qeveriset nga ata që nuk duan të vazhdojnë rrugën e Hamasit. Mendoj se Izraeli, për një periudhë të pacaktuar, do të ketë përgjegjësinë e përgjithshme të sigurisë, sepse ne kemi parë se çfarë ndodh kur nuk e kemi”, theksoi Netanjahu në një intervistë për ABC Neës.
Çfarë ka ndodhur deri më tani:
Sulmet pranë spitalit: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se kishin goditur një ndërtesë ngjitur me spitalin Al-Quds në qytetin e Gazës, pasi gjetën “terroristët” e Hamasit në ndërtesë. Në një deklaratë të mëparshme, Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze (PRCS) akuzoi ushtrinë izraelite për kryerjen e sulmeve ajrore pranë spitalit të hënën mbrëma. “(Izraeli) shënjestroi spitalin Al-Quds në Rripin e Gazës me dy raketa, afërsisht 50 metra larg portës së spitalit”, tha grupi.
Evakuime të mëtejshme mjekësore: Katër palestinezë të plagosur janë evakuuar nga Gaza në Egjipt për trajtim përmes pikës kufitare Rafah të martën, tha një zyrtar kufitar egjiptian për CNN. Sipas një raporti të CNN, kjo e çon në 105 numrin e përgjithshëm të palestinezëve të plagosur me lëndime të rënda të marra nga sulmet ajrore izraelite në Gaza, të cilët janë transferuar në Egjipt.
Aktet antisemitike rriten në Francë: Autoritetet franceze kanë regjistruar rreth 1100 akte antisemitike që nga sulmet e Hamasit të 7 tetorit në Izrael, tha të martën ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin, më shumë se trefishi i numrit të raportuar më parë në tetor. Darmanin tha se Franca ishte dëshmitare e “shpërthimit të akteve antisemitike” dhe se shifra e re përfaqëson “dyfishin e të gjitha akteve antisemitike në të gjithë vitin 2022”.
Rrjedhje e ngadaltë e ndihmave që mbërrin në Gaza: Të paktën 569 kamionë ndihma kanë hyrë në Gaza që nga 21 tetori, tha zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara (OCHA) në përditësimin e saj të rregullt të hënën. Rreth 93 kamionë që transportonin kryesisht artikuj ushqimorë, ilaçe, furnizime shëndetësore, ujë në shishe dhe produkte higjienike kaluan nga Egjipti në Gaza të hënën. Para fillimit të armiqësive, mesatarisht 500 kamionë hynin në Gaza çdo ditë pune.
Zyrtari i OKB-së viziton Lindjen e Mesme: Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, filloi një vizitë pesë-ditore në Lindjen e Mesme të martën “mes përshkallëzimit të Izraelit në Gaza”, tha zyra e tij. “Shkeljet e të drejtave të njeriut janë në themel të këtij përshkallëzimi dhe të drejtat e njeriut luajnë një rol qendror në gjetjen e një rrugëdaljeje nga kjo vorbull dhimbjeje”, shtoi ai.
Pengjet e Mbretërisë së Bashkuar ende në Gaza: Tre shtetas britanikë besohet se mbahen ende në Gaza, tha të martën Sekretari i Drejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar Alex Chalk, pasi ata u morën peng nga Hamasi gjatë sulmit ndaj Izraelit më 7 tetor, transmeton CNN.
Rritja e numrit të vdekjeve në Gaza: Numri i vdekjeve në Gazën e kontrolluar nga Hamasi është rritur në 10,305 që nga 7 tetori, me më shumë se 70% fëmijë, gra dhe të moshuar, sipas një raporti të publikuar nga Ministria palestineze e Shëndetësisë në Ramallah të martën. Është e paqartë se sa luftëtarë janë përfshirë në total.