Nga çmilitarizimi te mbyllja e kufirit jugor, Netanjahu plan për të ardhmen e Gazës
Kryeministri izraelit Benxhamin Netanjahu (Benjamin Netanyahu) zbuloi një plan për të ardhmen e Gazës pas shkatërrimit të Hamasit, i cili përfshin “çmilitarizimin e plotë” të enklavës, mbylljen e kufirit jugor të territorit me Egjiptin , si dhe riparimin e administratës civile dhe sistemeve arsimore të Gazës.
CNN raporton se Netanjahu ua prezantoi planin anëtarëve të kabinetit të sigurisë të Izraelit dhe u shpërnda si bazë për diskutim në përgatitjen e bisedimeve të mëtejshme mbi këtë çështje.
Plani vjen pasi Izraeli dërgoi një ekip negociator, të udhëhequr nga drejtori i Mossad, David Barnea, në Paris për të ndjekur bisedimet mbi një armëpushim të mundshëm dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve që mund t’i japë fund luftës 4-mujore.
Më shumë se 29,000 njerëz janë vrarë në Gaza që nga fillimi i luftës, ndërsa sulmi i Hamasit më 7 tetor vrau 1200 njerëz në Izrael.
Në dokument përshkruhen ndryshimet në nivelet e sigurisë deri te planet më afatgjata se kush e qeveris territorin.
Plani përfshin mbylljen e kufirit jugor të Gazës me Egjiptin, duke i dhënë Izraelit kontroll të plotë të hyrjes dhe daljes nga Gaza. Aktualisht, Egjipti kontrollon hyrjen nga kufiri jugor i Gazës nëpërmjet kalimit Rafah.
Plani i Netanjahut thotë se Izraeli do të bashkëpunojë “sa më shumë të jetë e mundur” me Egjiptin, në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu plani pohon atë që Netanjahu ka thënë më parë, se “Izraeli do të ketë kontroll të sigurisë mbi të gjithë zonën në perëndim të Jordanisë”, e cila përfshin të gjithë Bregun Perëndimor dhe Izraelin, si dhe Gazën.
Palestinezët kanë kërkuar prej kohësh një shtet të pavarur në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Gaza.
Gjithashtu Izraeli do të jetë përgjegjës për “realizimin dhe mbikëqyrjen” e çmilitarizimit të Rripit.
Në nivelin civil, Netanjahu detajon një rishikim të administratës civile dhe sistemeve arsimore të Gazës, duke përfshirë një ndërprerje të dukshme të financimit nga Katari në Gaza
Plani i Netanjahut gjithashtu bën thirrje për “de-radikalizim” në sistemin arsimor, të cilin Izraeli dhe aleatët e tij e kanë akuzuar prej kohësh për promovimin e antisemitizmit dhe urrejtjes ndaj Izraelit.
Së fundi, plani përsërit këmbënguljen e Izraelit se nuk do të detyrohet nga komuniteti ndërkombëtar të njohë një shtet palestinez.
“Izraeli kundërshton plotësisht diktatet ndërkombëtare në lidhje me një zgjidhje të përhershme me palestinezët,” thotë përmbledhja e Netanjahut.