Nga data 5 shkurt 2024 hyjnë në fuqi tarifat e reja për patentat, DPSHTRR-ja publikon çmimet
Nga 5 Shkurti 2024 hyjnë në fuqi tarifat e reja për patentat kombëtare dhe ndërkombëtare. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, bëri të ditur të martën nëpërmjet një njoftimi për shtyp, se ka ndërmarrë nismën për lehtësimin e shumë praktikave dhe burokracive që lidhen me shërbimet që ajo ofron.
Në këtë kuadër nga ana e DPSHTRR-së është bërë rishikimi dhe indeksimi i të gjithë tarifave dhe shërbimeve.
“Nga një analizë e hollësishme rezulton se shtrirja e këtyre shërbimeve në afate kohore, duke eleminuar detyrimin e paraqitjes në sportel, lehtësimin e kalimit nga një kategori në një tjetër, si dhe uljen e shpenzimeve indirekte (përllogaritur këtu në 7,569,450 kilometra vajtje/ardhje, 529,862 litra karburant, 12,616 ditë pune/vit kohë e shpenzuar), nuk mund të konsiderohet si rritje tarifash, por përkundrazi rezulton një kursim mesatar prej 4,170 lekë për qytetar në vit.”, thuhet në njoftimin për shtyp të DPSHTRR-së.
Ajo me këtë rast ka sjellë edhe shembuj të ilustruar, që, sipas saj, tregojnë qartë lehtësimin e shumë praktikave dhe burokracive që lidhen me shërbimet që ofron Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Nga data 5 shkurt:
- Tarifa e pajisjes me leje drejtimi me afat vlefshmërie 10 vite, nga 3,500 lekë bëhet 4,500 lekë, por afati tashmë zgjatet në 15 vite. Tarifa e re prej 4,500 lekë, e shpërndarë në vite, nga 350 lekë/viti bëhet 300 lekë/viti!
- Tarifa e pajisjes me leje drejtimi për grup moshën mbi 65 vjeç, me afat vlefshmërie 5 vite, nga 3,500 lekë, tashmë bëhet 2,000 lekë, me afat vlefshmërie 15 vite!
- Tarifa e pajisjes me Leje Drejtimi Ndërkombëtare me afat vlefshmërie 1 vit nga 500 lekë që ishte, kalon në 1,000 lekë, me një afat vlefshmërie 3-vjeçare. Tarifa e re prej 1,000 lekë, e shpërndarë në vite, nga 500 lekë/vit bëhet 333 lekë/vit!
- Kalimi nga Leje Drejtimi e Kategorisë B në D/D1, pa qenë i detyrueshëm kalimi në kategorinë C, nga 2,200 lekë, bëhet 0, pasi është eleminuar testimi për kategorinë C! Nga ndryshimi i këtyre tarifave përfitojnë 189,179 qytetarë, duke ju kursyer mesatarisht 788,792,150 lekë/vit. (7,7 milionë Euro).
“Ky vendim, për ndryshimin e tarifave për shërbimin e lejeve të drejtimit, hyn në fuqi më datë 5 Shkurt 2024 dhe do të pasqyrohen në faqen zyrtare”, përfundon njoftimi për shtyp i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.