Nga dhuratat te mesazhet e forta, çfarë nuk u pa nga vizita e Blinken në Tiranë
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social Facebook një përmbledhje të momenteve para dhe në prapaskenë të vizitës së djeshme (15 shkurt) të sekretarit amerikan të Shtetit, Antoni Blinken (Antony) në Tiranë.
Nga momenti i mbërritjes, te shtrëngimi i duarve mes tyre, vizitën në Kryeministri, takimit dhe konferencës që mbajtën së bashku, shkëmbimi i dhuratave e batutave, kreu i qeverisë shqiptare ka zgjedhur t’i pasqyrojë të gjithë në një video të përmbledhur në rrjetin social.
Ajo që ra në sy në vizitën e partë në Shqipëri të sekretarit Blinken ishte shmangia e takimeve me opozitën shqiptare. Kryediplomati amerikan deklaroi para mediave se mori mjaftueshëm nga takimet e tjera që zhvilloi dje.
Kujtojmë se Blinken u prit në aeroport nga Ministri i Jashtëm, Igli Hasani dhe ish-ambasadorja amerikane, njëherësh kryezëvendësasistente e Sekretarit amerikan për Europën dhe Eurazinë, Juri Kim (Yuri).
Më pas, Blinken takoi stafin e familjarë të tyre në ambasadën amerikane në Tiranë, për të vijuar më pas me takimin e emigrantëve afganë të strehuar në vendin tonë. Ai u prit në Presidencë nga kreu i shtetit Bajram Begaj, më pas u takua me kreun e SPAK Altin Dumani, kyebashkiakun Erion Veliaj e me Kryeministrin Edi Rama.
Me këtë të fundit zhvilloi edhe një konferencë të përbashkët për mediat ku u adresuan mesazhe të rëndësishme për rolin e Shqipërisë në NATO dhe mbështetjen e SHBA-së të Shqipërisë dhe Kosovës në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, në konferencën për mediat Blinken nënvizoi rolin e fortë të Shqipërisë dhe personalisht të kryeministrit Rama në mbështetje të Ukrainës.
Në përfundim të vizitës së tij njëditore në Shqipëri, sekretari i Shtetit u përcoll në aeroport nga ministri i Jashtëm, për të vijuar me vizitën e tij në Gjermani.