Nga ndotja tek transformimi i liqenit/ Bashkitë Shkodër dhe M.Madhe Task-Forcë pastrimi
Hedhja e mbetjeve ndërtimore pranë vijës së Vrakës në bregun e liqenit të Shkodrës është kthyer në shqetësim për bashkitë e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe, duke qenë se kjo pikë ndan kufirin mes dy bashkive. Kjo situatë ka ngjallur reagimin e pushtetit vendor, ku nënkryetari i Bashkisë Malësi e Madhe Sytki Ndrecaj bën të ditur se po punohet mes dy bashkive për të ngritur një Task-Forcë të përbashkët për pastrimin si dhe për ruajtjen e vijës liqenore. Dy bashkitë kanë nisur bashkëpunimin me njëra-tjetrën për studimin e vijës së përbashkët liqenore dhe me mbështetjen e fondeve nga qeveria të finalizojnë një projekt model për zhvillimin e turizmit. Liqeni i Shkodrës është shpallur zonë e mbrojtur në vitin 2005, por nuk është aspak i mbrojtur nga ndotja. Ai është një nga bukuritë natyrore me të cilën Shkodra identifikohet si qytet. I ndarë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, ai konsiderohet një pasuri natyrore ndërkufitare dhe për sa i përket madhësisë, është më i madhi në Ballkan.