Nga Pirro Vëngu, Ervin Hoxha, Petrit Malaj dhe Taulant Balla. Betohen në Presidencë ministrat e rinj

Pas votimit në Kuvend ministrat e rinj në kabinetin qeveritar të kryeministrit Rama janë betuar sot në Presidencë.

Ministrat e rinj si Ervin Hoxha në krye të Ministrisë së Brendshme, ministri i ri i Financave Petrit Malaj dhe ministri i ri Mbrojtjes, Pirro Vëngu, së bashku me Taulant Ballën që merr drejtimin e Ministrisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, janë betuar mbi Kushtetutë, ndërsa kanë marrë në dorë edhe dekretin e presidentit Begaj.  

Emrat e rinj në kabinetin qeveritar erdhën pas ndryshimeve dhe lëvizjeve në qeveri që kryeministri Edi Rama bëri në Kongresin e Partisë Socialiste.

Rama i shpjegoi lëvizjet dhe ndryshimet në qeveri duke filluar me Taulant Ballën, të cilin e zhvendosi nga posti i ministrit të Brendshëm për t’i dhënë detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ervin Mete i la vendin Petrit Malajt për të marrë drejtimin e Ministrisë së Financave, ndërsa Niko Peleshi i la postin Pirro Vëngut në krye të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ish-ministri Peleshi do të drejtojë grupin parlamentar të Partisë Socialiste teksa vitin e ardhshëm Shqipëria shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Po kush janë emrat e rinj në qeverinë e kryeministrit Rama, nisur nga Ervin Hoxha, Petrit Malaj dhe Pirro Vëngu:

Ervin Hoxha-Ministër i Brendshëm

Ervin Hoxha i cili do të ushtrojë detyrën e ministrit të Brendshëm, më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës. Ai u lirua nga kjo detyrë në nëntorin e vitit të kaluar ndërsa tani do të drejtojë një nga postet më të rëndësishme në qeveri duke zëvendësuar Taulant Ballën.

Hoxha ka kryer Akademinë e Lartë të Sigurisë (Offizier Schule des Herres) në Dresden të Gjermanisë. Në vitin 2006 përfundoi ciklin universitar në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Ervin Hoxha ka përfunduar arsimin pasuniversitar në Shkollën e Lartë të Policisë Gjermane (Deutsche Hochschule der Polizei), duke fituar titullin M.A në Administrim Publik dhe Menaxhim Policor).

Për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qendrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si: Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.

Ka mbajtur detyra në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qendrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar. Ervin Hoxha zotëron në nivel të avancuar gjuhën turke, gjermane dhe atë angleze.

Petrit Malaj-Ministër i Financave

Petrit Malaj është emri i për të drejtuar Ministrinë e Financave duke zëvendësuar në këtë post, Ervin Meten. Petrit Malaj ka mbajtur detyrën e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN). Malaj u zgjodh në këtë detyrë në janar të vitit 2024, ndërkohë që tashmë do të drejtojë dikasterin e Financave në vend të Ervin Metes.

Referuar jetëshkrimit të tij, Petrit Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetown, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë. Malaj ka një përvojë të pasur në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.

Pirro Vëngu-Ministër i Mbrojtjes

Pirro Vëngu i cili ka marrë postin e ministrit të Mbrojtjes në vend të Niko Peleshit ka mbajtur deri më sot detyrën e drejtorit të Autoritetit Portual Durrës, ndërsa më herët ka mbajtur postin e drejtorit Antikorrupsionit në Kryeministri.

Gjithashtu, Vëngu ka qenë edhe drejtor kabineti në Ministrinë e Jashtme të ish-ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati në qeverinë “Rama 1”.

Në vitin 2017 ai u emërua drejtor i antikorrupsionit në Kryeministri. Në vitin 2015, teksa ishte në detyrë në ministrinë që drejtohej nga Ditmir Bushati, Vengut i erdhi një fletëthirrje nga Greqia, me arsyetimin se nuk kishte kryer detyrimin ushtarak në shtetin grek, detyrim që vinte për shkak të mbajtjes së pasaportës greke.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.