Nga Salsburgu drejt Athinës, Shkodra ndalesë në rrugëtimin e 25 automjeteve historike

Shkodra tashmë është një destinacion ndalese për të gjithë turistët e huaj dhe turet e ndryshme.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau në rrjetet sociale një material filmik nga aktiviteti i fundit, realizuar në qytet, ku u mblodhën ditën e djeshme të apasionuarit e makinave retro, të turit europian “Rally Vintage”.
Grupi ishte nisur nga Salsburgu i Austrisë, me destinacion final Athinën.
“Pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhjen në qytetin tonë, i cili është kthyer në një destinacion për turistët e huaj”, shkroi kryebashkiaku Beci, në rrjetet sociale.
Pasditen e djeshme në Shkodër u ndalën 25 makina retro të markave të ndryshme.
Qytetarët e Shkodrës por edhe vizitorë që janë gjendur aty, mundën të vizitonin këtë ekspozitë automjetesh historike, të stacionuara pranë sheshit të bashkisë.
Udhëtimi 2-javor i këtyre automjeteve nis nga alpet austriake e perfundon në Athinë, buzë Egjeut, duke përshkuar rrugë me asfalt por edhe me zhavorr, me shumëllojshmëri testesh e rregullash, në një aventurë që i çon pjesëmarrësit nëpër zonat më pak të njohura të Ballkanit.