Nga sot hyn në fuqi rritja e pagave për 135 mijë punonjësit e administratës publike
Nga dita e sotme (1 korrik) hyjnë në fuqi pagat e rritura për punonjësit e administratës publike. 105 mijë lekë do të jetë paga mesatare e punonjësve të administratës shtetërore. Nga rritja e pagave do të përfitojnë 135 mijë punonjës. Vendimi u mor disa ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe u komunikua nga Ministri i Financave Ervin Mete.
Këshilli i Ministrave vendosi që për natyrë të veçantë pune u jepet një shtesë mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse, konkretisht: punonjësve të sektorit të teknikës së shtypshkrimit në Qendrën e Botimeve Zyrtare, në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; punonjësve shpëtues të sektorit të emergjencave dhe shpëtimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj; punonjësve të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj; punonjësve në pozicionin “shofer-mekanik” në Qendrën e Shërbimeve dhe Administrimit të Mjeteve të Transportit, në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj.
Punonjësve të cilët punojnë në shërbimet e shëndetit mendor e që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me pacientët me probleme të shëndetit mendor, përfitojnë në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj.
Punonjësit, të cilët punojnë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale dhe që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me të dënuarit, përfitojnë rritje page në masën 9 000 (nëntë mijë) lekë në muaj.
Punonjësve në pozicionin “shofer” në urgjencën e spitaleve, në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj; punonjësve në pozicionin “rojë mjedisore” në administratat e zonave të mbrojtura, në masën 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj;
Punonjësve në pozicionet “laborant” dhe “teknik i mesëm aparaturash” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, në masën 19 000 (nëntëmbëdhjetë mijë) lekë në muaj;
Ndërsa punonjësve në pozicionin “punëtor mirëmbajtjeje (krematoriumi)” në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, shetsa është në masën 14 000 (katërmbëdhjetë mijë) lekë në muaj.