Ngjarja në Kurbin- Dyshohet për vrasës me pagesë, policia po heton për 4 persona të përfshirë
Atentati në fshatin Gurëz Kurbin me shënjestër biznesmenin Ardian Gjeloshi i cili mbeti i plagosur, dyshohet se është kryer nga vrasës me pagesë.
Autorët e kanë ndaluar makinën Range Rover te porta hyrëse e kompanisë dhe tre prej tyre kanë zbritur nga makina dhe të maskuar, të veshur me rroba të zeza janë afruar në këmbë drejt godinës së administratës ku ishte pronari Ardian Gjeloshi.
Sapo janë afruar njëri prej tyre ka qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të 51-vjeçarit Gjeloshi, por vetëm dy prej tyre e prekën në trup pasi arriti të largohet dhe të hynte në zyrë.
Nën shoqërinë e shënjestrës ishte ekonomisti i firmës 70- vjeçari, Selman Mihana, i cili në tentativë për të mbrojtur pronarin mori disa plumba në pjesë të ndryshme të trupit, çka i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.
Sipas dëshmive të punonjësve, të shumtë në momentin e ngjarjes, njëri prej autorëve ka folur në gjuhë të huaj, por nuk kanë arritur ta kuptojnë se çfarë ka thënë.
Ndërkohë përgjatë 24-orëve policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, por dëshmia e tyre nuk e ka ndihmuar grupin hetimor në identifikimin e autoreve dhe zbardhjen e ngjarjes.
Pista kryesore e hetimeve është ajo e hakmarrjes, pasi në vitin 2002, 51-vjeçari Ardjan Gjeloshi bashkë me të vëllanë ishin përfshirë në një ngjarje, ku mbeti e vrarë një grua dhe i plagosur një efektiv policie, por në sitë po kalojnë edhe konflikte të tjera që mund të ketë patur shënjestra.