Ngjarja në Velipojë, Drejtori i Policisë Shkodër: Autorët, pronarë të një hoteli. Qëlluan dy të rinjtë pas një konflikti
Drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj ka dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë në Velipojë, ku u vranë me armë zjarri dy të rinjtë Ersild Ishmi, 33-vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç.
Në një deklaratë për mediat, Sulaj ka bërë me dije identitetin e dy vëllezërve të dyshuar si autorë, Eduard dhe Gëzim Frroku, të cilët janë shpallur në kërkim. Sipas Drejtorit të Policisë Shkodër, dy vëllezërit janë pronarë të një hoteli, ndërsa shkak i ngjarjes së rëndë dyshohet se ka qenë një konflikt i mëparshëm mes tyre dhe viktimave.
“Siç jeni në dijeni, jemi njoftuar se ka ndodhur një konflikt me armë zjarri në Velipojë, ku si pasojë e të shtënave janë plagosur dhe më pas kanë gjetur vdekjen në spital Ersild Ishmi, 33-vjeç dhe Arsid Hoxha, 22 vjeç.
Mendohet se shkak ka qenë një debat mes dy viktimave dhe pronarëve të Hotel ‘Lakaj’ Eduard dhe Gëzim Frrokut. Shkak ka qenë një debat i ndodhur më 28 qershor të këtij viti mes kamerierit dhe kuzhinierit të këtij lokali. Aktualisht Policia është angazhuar maksimalisht për dokumentimin e kësaj ngjarje të rëndë”, u shpreh Sulaj.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 21:00, ku Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha mbetën të plagosur nga të shtënat dhe u dërguan në Spitalin e Shkodrës, por fatkeqësisht nuk i mbijetuan plagëve të mara.