Ngjitje në malin e Taraboshit / Një grup alpinistësh nga Kosova eksploruan këtë pikë malore
Udhëtimi në mal dhe ngjitja në lartësi është e shoqëruar me ndjenjën e adrenalinës për personat që dashurojnë natyrën e egër. Mali i Taraboshit është një mundësi e mirë për ta përjetuar atë. Kështu zgjodhën të bënin një grup bjeshkatarësh nga Kosova, nën udhëheqjen e guidës nga klubi “Taraboshi Shkodër”, Lodovik Zefi. Ngjitja zgjati gati 3 orë. Ajo nisi nga ura e Bunës (monument kulture) deri në majën e Golishit në Tarabosh, malit me një lartësi prej 651 m që gjendet në skajin jugperëndimor të Liqenit të Shkodrës.
Shkodra nga kjo pikë shikohet si në pëllëmbë të dorës, së bashku me liqenin e saj, më i madhi në Ballkan, ndërsa nga e njëjta pikë në majën e Taraboshit mund të shikosh edhe detin Adriatik. Veç ajrit të pastër, mbushur me oksigjen, panorama duket e mrekullueshme nga kjo lartësi.
Niveli i vështirësisë nga pikënisja në majë konsiderohet i përballueshëm nga të gjithë. Andi nga Peja është 12 vjeç dhe ai nuk e pati aspak të vështirë ngjitjen.
Peisazhi i larmishem malor, me kalime në sfond nga ai lumor dhe liqenor në atë fushor dhe kodrinor e bëjnë malin e Taraboshit të preferuar për ngjitje nga dashamirësit e natyrës.