Ngrihet Komiteti për matjen e shikueshmërisë, drejtori i RTSH: Të ruajmë paanshmërinë e besueshmërinë

Përfaqësues të televizioneve dhe agjencive te marketingut vendosën të mërkurën përbërjen e Komitetit të Përbashkët të Industrisë.
Mes diskutimeve që kjo strukturë kontrolluese për matjen e shikueshmërisë të jetë funksionale, por sidomos e besueshme, Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, Alfred Peza, solli eksperiencat e disa vendeve europiane, duke kujtuar faktin që projektimi i këtij Komiteti duhet të marrë parasysh auditorin tradicional dhe atë digjital.
“Ka një vullnet tashmë për ta realizuar këtë proces dhe duhet të bazohemi te shembujt më të konsoliduar të tregut audioviziv. Konfigurimi ka shumë rëndësi, pasi ndihmon në ruajtjen e paanshmërisë dhe të besueshmërisë së procesit të matjes së audiencës,” deklaroi z. Peza.
“Që nga 2019-a, por procesi ka nisur shumë më herët dhe ju e dini se nuk kemi më absolutisht kohë,” u shpreh znj. Armela Krasniqi, kryetarja e Autoritetit të Medieve Audiovizive.
Në tryezën e dytë konsultative, përfaqësues të televizioneve të tjera kombëtare e vendore shtruan nevojën e kuotës për televizionet vendore në këtë Komitet.
“Unë mendoj që në vitin 2024 duhet përmbyllur ky proces, ndoshta edhe më shpejt. Në fillimin e sezonit në shtator ai duhet të jetë në operim. Që ne të arrijmë këtë objektiv apo plan mendoj që brenda muajit shkurt duhet ta kemi themeluar,” tha drejtori ekzekutiv i televizionit “Klan”, Aleksandër Frangaj.
Tryeza miratoi përbërjen me 9 pjesëtarë të Komitetit që do të menaxhojë matjen e shikueshmërisë në Shqipëri sipas formulës radiotelevizioni publik, 3 televizione kombëtare e po aq vendore, si dhe 2 agjenci reklamash.