Ngritja e Laboratorit të Referencës së ADN, Balla: Mundësi për zbardhjen e krimeve të reja dhe të vjetra
Referencat e ADN-së do luajnë një rol kyç në zbulimin e krimeve. Kështu deklaroi Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së Laboratorit të Referencës së ADN-së në Institutin e Policisë Shkencore, së bashku me Ministrin e Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Robert Jenrick.
Sipas ministrit, ngritja e laboratorit do krijojë mundësinë e zbardhjes së krimeve të reja dhe të vjetra, teksa shtoi se mungesa e kësaj teknologjie ka bërë të pamundur zbardhjen e krimeve dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve.
“Instituti i Policisë Shkencore/ Rritja e zbulueshmërisë së krimeve merr një mbështetje të fortë me ngritjen e Laboratorit të Referencës së ADN-së. Tashmë do të kemi mundësi tu rikthehemi edhe dosjeve të vjetra kriminale duke përdorur referencat e ADN-së.
Falënderoj qeverinë e Britanisë së Madhe për mbështetjen. Ky laborator ka hapësira të dedikuara për proceset shkencore të analizave të ADN-së që do na sjellë përfitimin e profileve gjenetike të mostrave të personave të ndaluar apo të arrestuar që do administrohen në bazën kombëtare të të dhënave dhe padyshim kjo do krijojë mundësinë e zbardhjes së krimeve të reja dhe të vjetra. Në këtë fazë të forcimit të goditjes së krimit të organizuar nga ana e policisë së shtetit dhe me mbështetjen e prokurorisë, ky laborator është mbështetje për të zbuluar edhe krimet e vjetra të cilat janë aty, por mungesa e kësaj lloj teknologjie na ka bërë të pamundur zbardhjen e autorëve dhe vendosjen e tyre para përgjegjësisë.
Akreditimi i analizave të ADN-së shpresoj shumë të jetë një arritje tjetër e institutit të policisë shkencore dhe përmbushjes së detyrimit tonë në rrugën e anëtarësimit në BE”, tha Balla.
Ministri britanik u shpreh se nëpërmjet këtij laboratori do të përmirësohet testimi dhe analiza e mostrave të ADN-së.
“Kjo strukturë e re e IPSH është një tjetër hap për objektivin e përbashkët të qeverive në luftën kundër krimit të organizuar, duke përmirësuar testimin dhe analizën e mostrave të ADN-së. Ky është shembulli i fundit i punës së ngushtë të përbashkët midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, që përfshin nënshkrimin e një komunikate të përbashkët mes kryeministrave tanë në dhjetor, e cila solli një ulje me mbi 90% të numrit të personave që udhëtojnë në mënyrë të paligjshme nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar“, u shpreh ministri britanik.
Vizita e ministrit Jenrick i paraprin takimin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet në Tiranë, për të diskutuar mbi emigracionin e paligjshëm, krimin e organizuar dhe sigurinë kibernetike.
Profilet gjenetike të të arrestuarve apo ndaluarve të përfituara nga ky laborator do t’i shtohen bazës kombëtare të të dhënave të ADN-së, e cila është zhvilluar me asistencën e Mbretërisë së Bashkuar.