Nikolla: Dita e Evropës na shpie te identiteti dhe destinacioni ynë i natyrshëm
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përcolli sot një mesazh me rastin e Ditës së Evropës ku apelon për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Evropian.
Nikolla u shpreh në rrjetet sociale se vizioni dhe destinacioni i vendit tonë është integrimi në këtë “mrekulli hyjnore” në tokën e kontinentit të vjetër.
“9 Maji, Dita e Evropës, është dita që na shpie te ëndrra, rrënjët, qytetërimi, identiteti, vizioni dhe destinacioni ynë i natyrshëm evropian, drejt kësaj “mrekullie hyjnore” në tokën e kontinentit të vjetër.
Mbështetja e mbizakonshme popullore e anëtarësimit në Bashkimin Europian është një frymëzim i madh, por edhe një sfidë për Kuvendin e Shqipërisë, për lidershipin tonë të ecjes sa më shpejt drejt familjes së madhe evropiane”, shkruan Nikolla.
Dita e Evropës shënon paraqitjen e parë të idesë për një formë të re të bashkëpunimit politik dhe që luftërat mes popujve të Evropës do t’i bënte të paimagjinueshme.