Nikolla me Ambasadoren e Izraelit: Dënojmë sulmin e Hamasit, luftë mes botës së qytetëruar dhe terroristëve
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka pritur në një takim Ambasadoren e Izraelit, Galit Peleg me të cilën bisedoi mbi luftën e përgjakshme të ditëve të fundit të Hamasit.
Kryetarja Nikolla i rikonfirmoi Ambasadores se Kuvendi, qeveria dhe populli shqiptar dënojnë ashpër sulmin terrorist të Hamasit kundër Izraelit.
“Qëndrojmë përkrah popullit izraelit në këto momente të vështira lufte. Kjo nuk është vetëm lufta e Izraelit, por një luftë mes botës së qytetëruar dhe terroristëve.
Në këto momente më shumë se tragjike për të gjithë popullin izraelit, bota e qytetëruar qëndron me ta dhe dënon terrorizmin dhe vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Shqipëria qëndron në krah të partnerëve strategjikë, SHBA dhe BE, në luftën kundër terrorizmit, për mbrojtjen e sigurisë dhe paqes”, tha Nikolla.