Nis censi në Mal të Zi, procesi i regjistrimit të popullsisë dhe banesave zgjat 15 ditë
Mali i Zi nisi të dielën regjistrimin e popullsisë, pronave dhe banesave. Nisja e procesit ishte paralajmëruar për 1 nëntor, por kabineti i ri qeveritar i Millojko Spajiç e shtyu atë deri në fund të nëntorit.
Censi nisi zyrtarisht më 3 dhjetor pas kërcënimeve të opozitës se do ta bojkotonte për shkak se komisionet e regjistrimit nuk përfshinin anëtarët e saj.
Javën e kaluar, qeveria dhe përfaqësuesit e opozitës në Mal të Zi nënshkruan një marrëveshje mbi regjistrimin, e cila parashikon zgjerimin e komisioneve të regjistrimit, mbikëqyrjen e të dhënave të mbledhura dhe ndalimin e partive që të zhvillojnë fushata në lidhje me regjistrimin.
Pyetjet rreth përkatësisë etnike dhe gjuhës e kthyen censin në një çështje politike, megjithëse Eurostat rekomandoi që këto çështje të liheshin jashtë tij.
Pyetja bazë që përdorin politikanët është se kush e përbën shumicën e popullsisë së Malit të Zi dhe cila gjuhë flitet nga numri më i madh i banorëve. Sipas regjistrimit të vitit 2011, 45% e popullsisë u identifikua malazeze, 29% serbe , 9 % boshnjake dhe 5% shqiptare. Për sa i përket gjuhës, 43% thanë se flisnin serbisht, 37% gjuhën malazeze dhe nga 5.5 % e saj flisnin shqip e gjuhën boshnjake.
Për shkak të çështjes së etnisë, fushata për regjistrimin gjatë tetorit ngjasonte me një fushatë zgjedhore, pasi partitë politike pro-serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe u bënin presion qytetarëve që të identifikoheshin si serbë.
Regjistrimi i këtij viti mund të tregojë një popullsi dukshëm më të lartë, për shkak të numrit të madh të rusëve, ukrainasve dhe turqve që janë shpërngulur vitet e fundit në Mal të Zi. Sipas regjistrimit të vitit 2011, Mali i Zi kishte një popullsi prej 620 mijë banorësh.
Vlerësohet se mbi 100 mijë të huaj janë shpërngulur në këtë vend gjatë viteve të fundit, duke përbërë pothuajse 15% të popullsisë. Rezultatet e regjistrimit pritet të mësohen 6 muaj pas përfundimit të tij.