Nis censusi i popullsisë dhe banesave/ 290 anketues të Bashkisë Shkodër të angazhuar për këtë proces
Sikurse në të gjithë vendin edhe në Shkodër këtë të hënë nisi censusi i popullsisë dhe banesave. Rreth 300 anketues në Shkodër janë angazhuar për numërimin e të gjithë popullsisë dhe banesave dhe të dhënat që do të mblidhen në 6 javë, mbulohen nga ligji i statistikave dhe mbrohen nga ligji për censusin e popullsisë dhe të banesave. Meqënëse Bashkia Shkodër ka një territor të shtrirë sidomos njësitë administratve dhe zonat malore, sipas përgjegjëses së zyrës rajonale të INSTAT ky proces është planifikuar më herët dhe stafi është i mjaftueshëm dhe nuk ka asnjë dyshim që ky staf në terren të mos mbulojë procesin e numërimit të popullisisë dhe banesave. Ndryshe nga ai i mëparshmi, i gjithë procesi i censit do të kryhet në mënyrë dixhitale përmes një tableti. Regjistrimi do të ofrojë të dhëna për popullsinë rezidente, mbi karakteristikat demografike, sociale, të dhëna për strehimin, shëndetësinë, punësimin e të tjera. Pyetësorët janë me tetë module dhe 100 pyetje.Procesi i marrjes së të dhënave në terren do të zgjasë gjashtë javë dhe mbyllet me 28 tetor. Më pas do të publikohen të dhënat e para në qershor 2024, ndërsa më të detajuara në dhjetor 2024.