Nis “Final 4” i futbollit të femrave
Faza finale e Kampionatit Kombëtar në Futboll për Femra ka ngritur të premten siparin me takimet e para gjysmëfinale, Partizani-Vllaznia dhe Tirana-Apolonia.
Në Stadiumin “Arena e Demave” në Tiranë, Partizani ka pritur Vllazninë, në takimin që nisi në orën 12:00. Vllaznia e ka nisur më mirë sfidën, duke rrezikuar fillimisht dhe duke e gjetur më pas golin në minutën e 10-të, me anë të Borçit. Me epërsinë minimale të shkodraneve do të mbyllen 45 minutat e para, ndërsa ato të dytat do të shohim Vllazninë ta administrojë këtë epërsi përballë Partizanit gjithnjë e më të pafuqishëm për të barazuar shifrat.
Madje shkodranet do të gjejnë edhe dy gola të tjerë brenda 4 minutash, teksa Ramadani ka realizuar në minutën e 75-të, ndërsa për së vulosur fitoren mendon Lufo 11 minuta para fundit të kohës së rregullt. Vllaznia mund të kështu Partizanin 3-0 në takimin e parë.
Në skajin tjetër të kryeqytetit, në Kompleksin “Skënder Halili”, Tirana është përballur me Apoloninë, në ndeshjen që nisi në ora 16:00 dhe që u mbyll në barazim 1-1, me vajzat bardheblu që shënuan në pjesën e parë dhe fierakët në të dytën. Ky ishte edhe akti i parë i kësaj “Final 4”, apo thënë shqip “4-shje finale”, pasi në këtë fazë ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje.
Më datë 7 maj do të luhen edhe takimet e kthimit, aty ku do të vendoset gjithçka përsa i përket kualifikimit për në finalen e titullit. Në rast barazimi tё rezultateve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra që e mbylli më mirë në rendit në mbyllje të sezonit të rregullt, kualifikohet pёr nё ndeshjen finale.
Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni të futbollit të femrave do të luhet më 11 maj 2024, në “Shtëpinë e Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet. Dy ekipet që nuk kalojnë në finale, do të zhvillojnë një ndeshje me një takim, për të përcaktuar vendin e 3-të dhe të 4-t, me ndeshjen që do të luhet më herët po në “Shtëpinë e Futbollit”. Ekipi “kampion” i do të përfaqësojë Shqipërinë në turin para-eliminator të Ligës së Kampioneve të Evropës në futboll për femra.