Nis java e Karnavaleve në Shkodër – Festa fillon me programet e fëmijëve të shkollave të qytetit

Kanë startuar sot Karnavalet e Shkodrës, duke dhuruar një javë magjike, ku qyteti do të jetë i mbushur me aktivitete të ndryshme, përfshirë parada, koncerte dhe spektakle dritash në mbrëmje.
Sipas drejtoreshës së Kulturës në Bashkinë e Shkodrës, Sara Smaja, paradat me butaforitë madhështore do të jenë kulmi i spektaklit të karnavaleve.
Dita e sotme ka nisur me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët kanë përgatitur programe të veçanta enkas për këtë festë.
Ata e shijojnë atmosferën duke u shndërruar në personazhe të ndryshme dhe duke sjellë një magji të veçantë në rrugët e Shkodrës.
Për shtatë ditë me radhë, Shkodra do të jetë epiqendra e paradave madhështore, koncerteve dhe performancave artistike, ku krijimtaria dhe butaforia do të jenë në qendër të vëmendjes.
Përveç argëtimit, karnavalet mbajnë gjallë një traditë të pasur kulturore, duke reflektuar shpirtin e lirë dhe kreativ të qytetit.
Për të gjithë ata që duan të përjetojnë një javë magjike, Shkodra është vendi i duhur për t’u vizituar!