Nis kampionati i futbollit për femra / Vllaznia kampione fiton në transfertë me Partizanin
Vllaznia e nis me fitore sezonin e ri 2023-2024. Kjo nuk është ndonjë risi, pasi futbollistet kuqeblu sezonin e kaluar e mbyllën kampionatin si kampione të Shqipërisë pa asnjë humbje, me një bilanc fantastik në të gjithë komponentët. Dhe, me sa duket, skuadra shkodrane, sërishmi do të vijojnë në këtë rrugë edhe për sezonin e ri futbollistik. Kampionet në fuqi, të cilat mbajnë dhjetë tituj kampion në shpinë, në javën e parë të kampionatit luajtën në transfertë, duke qënë mysafire në kryqytet përballë Partizanit vendas. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Arena e Demave” të kryeqytetit u mbyll me rezultatin 0 me 3 në favor të ekipit shkodran. Skuadra e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, shënoi shumë shpejt me Megi Doçin, që në minutën e 9-të, dhe po kjo futbolliste tund për herë të dytë rrjetën e Partizanit në minutën e 27-të duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me avantazhin e Vllaznisë me rezultatin, 0 me 2. Partizani bën përpjekje në pjesën e dytë për të gjetur golin e parë, por portjerja amerikane Aubrei Elizabeth Corder që ka firmosur për Vllazninë vetëm dy ditë më parë mban të paprekur rrjetën kuqeblu. Ndërkohë, për të garantuar fitoren e pastër të Vllaznisë mendon Arbenita Curraj, e cila duke shënuar në minutën e 73-të mbyll gjithçka duke vulosur rezultatin përfundimtar, 0 me 3 në favor të Vllaznisë. Në ndeshjet e tjera, Kinostudio mundi Teutën 11-0, ndërkohë që edhe Tirana dhe Apolonia regjistrojnë fitore të thella me shifrat 12 dhe 14 me 0, kundër Lushnjes dhe Granshit. Ndeshja e planifikuar për javën e parë, Skënderbeu – Laçi, është shtyrë për një datë tjetër. Për t’u thekuar është se në kampionatin e sivjetëm të futbollit femra nuk konkuron ekipi i Murlanit, i cili është shkrirë së funksionuari, ndërkohë që është larguar edhe Tirana AS duke u përfaqësuar nga ekipi i Gramshit. Për javën e dytë, Vllaznia do të luajë në shtëpi duke pritur në stadiumin “Reshit Rusi” ekipin e Teutës së Durrësit.