Nis kampionati i volejbollit/ Një fitore dhe një humbje, bilanci i javës së parë për kuqeblutë
Një fitore dhe një humbje është bilanci i javës së parë të ekipeve të Vllaznisë në Kampionatin Kombëtar të volejbollit për femra dhe meshkuj. Kalendari i Federatës Shqiptare të Volejbollit kishte përcaktuar që dy skuadrat kuqeblu, femra dhe meshkuj të luanin në transfertë me ekipet respektive të Skënderbeut të Korçës. Të parët që kanë zbritur në parketin e pallatin e sportit “Tamara Nikolla” kanë qënë volejbollistët meshkuj, ku Vllaznia e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja, sfidoi skuadrën vendase duke e mundur me rezultatin 1 me 3. Një nisje kjo mjaft e mirë për ekipin e meshkujve, i cili këtë sezon pritet të jetë pretendent për trofe. Ndërkohë, menjëhërë pas ndeshjes së meshkujve, është luajtur ndeshja mes Skënderbeut dhe Vllaznisë në volejboll për femra. Ndryshe nga ndeshja e meshkujve, ku dominimi ka qënë në anën e ekipit të Vllaznisë, tek femrat kanë qënë vendaset që kanë diktuar në fushën e lojës. Volejbollistet shkodrane, të drejtuara nga trajnerja Nora Deda, nuk kanë mundur të përballojnë forcën e skuadrës korçare, e cila e drejtuar nga trajneri Orlando Koja, ka fituar me rezultatin e pastër 3-0. Për t’u theksuar është se në formacionin e skuadrës korçare ka luajtur me shumë sukses volejbollistja shkodrane Sara Malaj, e cila një vit me herët ka qënë pjesë e Vllaznisë. Pas ndeshjes, Sara Malaj, shprehet e emocionuar që luajti përballë ish skuadrës së saj.
Për javën e dytë të kampionatit, dy skuadrat kuqeblu do të luajnë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.