Me nisjen e muajit të shenjtë të Ramazanit, urimet për besimtarët myslimanë janë shprehur edhe nga politikanët shqiptarë, të cilët kanë theksuar rëndësinë e reflektimit, solidaritetit dhe bujarisë gjatë këtij muaji.
Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët për një agjërim sa më të lehtë, duke theksuar se ky muaj sjell mundësinë për të forcuar lidhjet familjare dhe për të ndihmuar përmirësimin e shoqërisë.
“Ramazan sa më të begatë e agjërim sa më të lehtë për të gjithë besimtarët myslimanë! Uroj që bujaria dhe solidariteti, dy tipare thelbësore të këtij muaji, të mbizotërojnë te secili nga ne për t’u afruar më shumë me Zotin.
Le të kujtojmë e të kujdesemi dhe për ata që pamundësia i ka bërë të mos gëzohen si gjithë të tjerët, e t’i ndihmojmë me bindjen e plotë se dhënësi përfiton më shumë se marrësi. Muaji i Ramazanit mbart në vetvete edhe një tjetër bekim: mundësinë për të ruajtur lidhjet familjare e për të respektuar çdokënd me të cilët bashkëndajmë këtë vend. Le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për t’u bërë më të mirë e për ta bërë edhe vendin tonë më të begatë!”, shkruan Begaj.
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama gjithashtu uroi besimtarët për një fillim të mbarë të muajit të Ramazanit, duke i shprehur urimet për harmoni dhe begati në familje.
“Të gjithë besimtarëve ju uroj një fillim të mbarë të muajit të Ramazanit, reflektim, harmoni, qetësi dhe begati në familje. Agjërim të lehtë dhe të pranuar”, shkruan Rama.
Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka uruar një agjërim të mbarë dhe një Ramazan të bekuar.
“Me nisjen e Muajit të Ramazanit, muajit të sakrificës, adhurimit, mëshirës dhe faljes, i uroj nga zemra të gjithë besimtarëve myslimanë agjërim të mbarë dhe një Ramazan të bekuar, plot dritë dhe paqe. Një urim i veçantë për vëllain tim, Ahmed Kalaja, që nuk harroi as këtë herë të m’i dërgonte hurmat e Arabisë këtu ku më kanë mbyllur e më vjen keq që nuk do t’ju bashkohem në darkat e përvitshme të iftarit. Bekime të gjithëve! Një agjërim të lehtë dhe të pranuar”, shkruan Veliaj.
Urimit iu bashkua edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se sakrificat e besimtarëve të shndërrohen në mirësi për familjet dhe shoqërinë shqiptare.
“Besimtarëve myslimanë shqiptar ju uroj agjërim të mbarë. I lutem zotit të pranojë sakrificën e tyre dhe ta shndërrojë atë në mirësi për ato familje dhe mbarë shoqërinë shqiptare”, uron Berisha.
Nga ana tjetër, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar besimtarët duke theksuar rëndësinë shpirtërore të agjërimit në fenë Islame.
“Fjala “sakrificë” vjen prej latinishtes e do të thotë “të bësh një veprim të shenjtë”! E mendoj agjërimin në religjion, e sidomos te besimi Islam, si thirrje të fortë të ushtrimit të ekzistencës sonë fizike në funksion të rritjes shpirtërore. Agjërimi përshkruhet në Kuranin e Shenjtë edhe si thirrje e fortë për zgjimin e inteligjencës te besimtari, se si të dallojë të mirën nga e keqja, dritën nga errësira. Në fakt në suren Ul – Buqarah, 2:157, ka një pasazh të mrekullueshëm: “Hani e pini derisa në zbardhje të ditës që të dini të dalloni mes fijes së hollë që ndan dritën prej errësirës”. Të gjithë besimtarëve myslimanë u uroj agjërim të lehtë e të pranuar të muajit të Ramazanit, që çdokush t’i afrohet sa më shumë të shenjtës, bash siç thotë Kurani: Agjëroni që të keni drojë prej Zotit”’, shkruan ajo.
Sot, më 1 mars, ka nisur muaji i shenjtë i Ramazanit për të gjithë besimtarët…
Kryeministri Edi Rama i cilësoi zgjedhjet e 11 majit 2025 si historike dhe një moment…
Partia Demokratike ka nisur sot, më 1 mars, procesin e primareve për zgjedhjen e kandidatëve…
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se ai është i bindur se marrëdhëniet me Presidentin…
Me rastin e 100-vjetorit të themelimit të dinastisë Marubi, një prej emrave më të njohur…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë vijon publikimin e të dhënave nga numërimi i votave…
This website uses cookies.