Nis nesër turi i 81-të çiklistik i Shqipërisë, Policia thirrje shoferëve: Shmangni rrugët ku do të zhvillohet gara
Turi i 81-të çiklistik i Shqipërisë do të startojë të hënën (20 maj), teksa Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e shoferëve që të mos përdorin rrugët ku do të zhvillohet gara.
Turi zhvillohet me 5 etapa, me itinerar të përgjithshëm 723 km rrugë për kalim publik, në disa nga akset kryesore kombëtare me frekuentim të lartë. Për rrjedhoje Policia e Shtetit njofton se janë marrë masa të larta sigurie për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve në këto gara.
Aktiviteti çiklistik starton nesërme me etapën e parë, ne orën 12.00 të datës nga sheshi “Skenderbej”, Tiranë dhe përfundon në Korçë. Etapa e dytë starton në orën 12.00 të datës 21.05.2024, nga Korça dhe përfundon në Elbasan. Etapa e tretë starton në orën 12.00 të datës 22.05.2024, nga Elbasan-Kuçovë-Ura vajgurore-Lushnjë dhe përfundon në Vlorë. Etapa e katërt starton në orën 12.00 të datës 23.05.2024, nga Vlora-Lumi i Vlorës-Himarë dhe përfundon në Llogara. Etapa e pestë dhe e fundit starton në orën 10.00 të datës 24.05.2024, nga Vlora dhe përfundon në Fier.
“Me qëllim shmangien e vonesave që krijohen në trafik, për shkak të masave të sigurisë, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës, qe në itineraret dhe oraret e garave, të evitohet në maksimum qarkullimi me mjete, si dhe të përdoren rrugë alternative”, thuhet në njoftimin e Policisë.