Nis puna për strategjinë e Turizmit 2024 – 2030
Shqipëria ka nisur të hartojë Strategjinë e Turizmit për periudhën 2024- 2030. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bëri të ditur se strategjia po hartohet përmes një metodologjie të mirëstudiuar dhe me ekspertizën e GIZ.
Në një postim në rrjetet sociale Kumbaro u shpreh se “duam të hartojmë një strategji që të jetë realiste, e zbatueshme dhe të drejtojë politikat e sektorit të turizmit deri në vitin 2030, me dinamikat e tij që shpesh herë edhe i tejkalon parashikimet”.
“Të gjithë janë të ftuar në tryezat e konsultimeve, që në përfundim të kemi produktin i cili do t’u shërbejë subjekteve publike, atyre private, bizneseve të hoteleri turizmit, të udhëtimit, organizatave, shoqatave dhe gjithë grupeve të interesit për të krijuar vizionin e tyre drejt produkteve turistike të qëndrueshme me ambicien se në mbarim të afatit të kësaj strategjie do ta kemi kthyer Shqipërinë në kampion të turizmit në Ballkan” shkruan zonja Kumbaro.
Shqipëria gjatë këtij viti ka shënuar një numër rekord turistësh. Përveç shfirave të larta, ajo ka përjetuar edhe një “bum” të promovimit mediatik botëror të potencialeve të saj turistike.
Përveç vizitorëve nga Kosova, që mbajnë vendin e parë në të njëjtat shifra si vitin e kaluar, gjatë këtyre muajve të shumtë kanë qenë turistët nga Spanja, Italia, Turqia, Mali i Zi, Franca, etj.
Shqipëria për shkak të relievit dhe kushteve klimatike që ofrojnë mundësi për turizëm nga jugu në veri, ka kushte për turizëm gjithëvjetor. Autoritetet po përpiqen që sezonet turistike të jenë sa më të gjatë.