Nis shpërndarja e bonusit të Fundvitit për pensionistët
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se ka nisur sot shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët.
Sipas Gonxhes, deri në orën 10:00 janë shpërndarë 19566 bonuse, nga të cilët 13712 bonuse 15 mijë lekë për pensionet nën 20 mijë lekë, invalidët dhe pensionet familjare, si dhe 5854 bonuse 10 mijë lekë për pensionet mbi 20 mijë.
Bonusi mund të tërhiqet në çdo pikë të Postës Shqiptare ose banka të nivelit të dytë deri më 30 qershor 2025.
Nga ky vendim përfitojnë 724 933 pensionistë.
Më herët kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se falë rritjes së qëndrueshme të ekonomisë, do të krijohet një fond pranë Bankës së Shqipërisë që në dhjetor, për një bonus të dytë për pensionistët, duke e quajtur “Bonusi i ri i pranverës”.
Njëkohësisht, qeveria ka nisur një bashkëbisedimin me pensionistët mbi planin e ri të pensioneve dhe angazhimin e qeverisë për të përfshirë pensionistët në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit.