Lajme

Nis sonte emisioni “Një Shqipëri”, Mentor Nazarko: Fokusi tek të suksesshmit

“Një Shqipëri” është emisioni më i ri që nis sonte në RTSH 1 dhe do të transmetohet çdo të hënë dhe të premte në orën 21:00.

Emisioni ka për moderator Mentor Nazarkon, një gazetar me disa dekada përvojë që nga fillimvitet 1990.

Në fokus të këtij programi televiziv do të jenë historitë e individëve të suksesshëm, por edhe historia e aktualiteti i trajtuar më thelbësisht, jo brenda kornizave të një formati tradicional.

Z. Nazarko tha në një intervistë për RTSH 24 se duke e prezantuar këtë sipërmarrje në radiotelevizionin publik do të përmbushet edhe një pjesë e misionit të RTSH-së për të shndërruar të mirën, të suksesshmit, të mençurit “në realitete dominuese në jetën tonë publike”.

Shpeshherë individëve të suksesshëm, të cilët janë anonimë në mendimin tradicional, u mungon mundësia e afirmimit të tyre. Kjo mungesë individuale, kolektive, ndikon në ritmet e përparimit tonë si shoqëri dhe si komb. Modelet e suksesshme nuk janë gjithmonë ato që afirmohen në emisionet e ‘prime time’, në debatet politike të nxitura nga sensacionalizmi. Me këtë bindje dhe keqardhje kam ndërtuar konceptin e një emisioni që i sjell këta individë në botën e medieve tradicionale, siç është radiotelevizioni publik.

Rrjetet sociale sot janë një realitet i pashmangshëm, kështu që ne kemi krijuar disa platforma ku këta individë të suksesshëm apo familje të shquara apo gra dhe të rinj të suksesshëm të afirmojnë veten e tyre për vëmendje, afishim idesh dhe për pasojë ata që janë më të mirë më të ndjekurit, më të komentuarit, të vijnë dhe të sjellin eksperiencat e tyre,” tregoi z. Nazarko.

Emisioni “Një Shqipëri” do të transmetohet të hënën dhe të premten në RTSH 1, ndërsa në Radio Tirana është parashikuar ditën e martë edhe një podkast i moderuar nga z. Nazarko dhe bashkëdialoguese tjetër.

Podkasti do të jetë një bashkëbisedim më i thellë, intensiv me figura që nuk janë vetëm nga politika, por edhe nga historia, sporti e teknologjia.

Emisioni i së hënës është i fokusuar te suksesi individual apo i familjeve. Ka edhe një rubrikë tjetër që në mënyrë provokative e kam quajtur ‘Antisuksesi’, për të identifikuar nga bisedat me të suksesshmit, cilat janë pengesat që ata hasin për të arritur te suksesi. Ndërkohë emisioni i së premtes mban parasysh një realitet tjetër social që shndërrohet më pas në ‘show’,” zbuloi z. Nazarko.

Në historinë tonë në të shkuarën, në të sotmen dhe të ardhmen ne kemi identifikuar se dy shinat ku është mbështetur suksesi ynë kombëtar ka qenë dialogu ndëretnik dhe dialogu ndërfetar. kur shqiptarët kanë bashkëpunuar mirë me fqinjët apo midis etnive në të shkuarën, në të sotmen ose në të ardhmen, duke ruajtur identitetin e tyre, apo kur bashkëjetesa fetare është në parametrat e normalitetit, atëherë ne përparojmë si komb. Këto dy shina sillen në formën e një ‘reality’.

Hapësira jonë sociale është e mbushur plot me dialogë për historinë apo me grupe sociale në rrjetet sociale tradicionale, të cilët dialogojnë për historinë, të nxitur nga autorët më eminentë të saj. Historia jonë kombëtare është tërheqëse edhe për brezin e ri. Ne kemi menduar që të krijojmë grupe apo një platformë ku të dialogohet për historinë tonë të bashkëpunimit me etnitë e tjera dhe prej këtij dialogu në rrjetet sociale, në platformën tonë ad-hoc, të zgjedhim atë pjesë të dialogut më domethënëse, më pozitive, më përparuesen.

Për analogji, dhe kjo është risi tjetër, ne kemi parë se si në kushtet e largimit nga libri, teologët kanë zënë vendin kryesor të motivuesve, të ndriçuesve të mendjeve të të rinjve. Teologët shpesh tregojnë edhe çfarë veshjesh duhet apo nuk duhet të kenë gratë në plazh, kur lind dielli, a do bëjë kohë e mirë, çfarë është e nuk është haram. Teologjia në fe të ndryshme ka dimension ndriçues. Teologë të ndryshëm në platformën tonë, pavarësisht fesë që i përkasin, myslimanë suni, bektashinj apo protestantë, do të kenë një faqe ku të diaologojnë me besimtarët, individët dhe këtë komunikim në rrjetet sociale më pas do e sjellim në televizion. Pra janë dy sfera që komunikojnë me njëra-tjetrën. Ky është koncepti,” sqaroi z. Nazarko.

Blerti Delija

Recent Posts

Dani Alves fitoi lirinë, reagon gruaja: Kam besuar gjithmonë në pafajësinë e tij

Në më pak se një javë, jeta e Joana Sanz ka ndryshuar tërësisht. Gjithçka vjen…

56 minutes ago

Autizmi dhe përmasat e tij: në Shqipëri figurojnë 2.467 persona. CDC: Preket 1 në 36 persona

Autizmi vijon të mbetet një nga diagnozat më të vështira për tu menaxhuar nga të…

58 minutes ago

Rezoluta-Eurodeputetët: Të forcohet siguria, Rusia kërcënim për Evropën dhe Ballkanin

Përmes dy raporteve të miratuara ditën e sotme nga Parlamenti Evropian, eurodeputetët i kërkojnë Bashkimit…

60 minutes ago

Qeveria e re në Kosovë, Kurti nis bisedimet me partitë e pakicës

Ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shpalli një ditë më parë datën 15 prill si…

1 hour ago

Rama: Brenda kësaj dekade paga mesatare e mësuesve 1250 euro

Arsimi, rritja e pagave për mësuesit, programet e reja për nxënësit, transformimi i infrastrukturës arsimore…

1 hour ago

Abuzimi me fondet e SASPAC, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim Beqajn. Ndaj ish-ministrit rëndojnë 6 akuza

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet në lidhje me abuzimin me fondet e SASPAC…

1 hour ago

This website uses cookies.