Nis të premten “Final 4” i femrave
Faza finale e Kampionatit Kombëtar në Futboll për Femra do të ngrejë të premten siparin me takimet e para gjysmëfinale, që janë Partizani-Vllaznia dhe Tirana-Apolonia. Në Stadiumin “Arena e Demave” në Tiranë, Partizani do të presë Vllazninë, në takimin që nis në orën 12:00, ndërsa në skajin tjetër të kryeqytetit, në Kompleksin “Skënder Halili”, Tirana do të përballet me Apoloninë, në ndeshjen që nis në ora 16:00. Ky do të jetë akti i parë i kësaj “Final 4”, apo thënë shqip “4-shje finale”, pasi në këtë fazë ndeshjet do të zhvillohen me takime vajtje-ardhje.
Më datë 7 maj do të luhen edhe takimet e kthimit, aty ku do të vendoset gjithçka përsa i përket kualifikimit për në finalen e titullit. Në rast barazimi tё rezultateve pas dy takimeve tё lojës sё rregullt, skuadra që e mbylli më mirë në rendit në mbyllje të sezonit të rregullt, kualifikohet pёr nё ndeshjen finale.
Finalja e madhe që do të përcaktojë edhe kampionen e këtij edicioni të futbollit të femrave do të luhet më 11 maj 2024, në “Shtëpinë e Futbollit”, siç njihet ndryshe selia e Federatës Shqiptare të Futbollit në kryeqytet.
Dy ekipet që nuk kalojnë në finale, do të zhvillojnë një ndeshje me një takim, për të përcaktuar vendin e 3-të dhe të 4-t, me ndeshjen që do të luhet më herët po në “Shtëpinë e Futbollit”. Ekipi “kampion” i do të përfaqësojë Shqipërinë në turin para-eliminator të Ligës së Kampioneve të Evropës në futboll për femra.