Nis testimi i mësuesve- Intervista analizon gjendjen psiko –sociale të individit
Mësuesit e rinj që kanë hyrë këtë vit në sistemin arsimor po i nënshtrohen vlerësimit psiko-social, me qëllim monitorimin e gjendjes së tyre emocionale.
Psikologia, Patricia Lami sqaron për RTSH-në se këtij vlerësimi do t‘i nënshtrohen këtë vit 830 mësues, ku do të pasqyrohet puna e mësuesit gjatë 3 muajve, marrëdhënia e tij me nxënësit, si dhe intervista me mësuesin me disa paketa pyetjesh të detajuara.
Lami sqaron se intervista që analizon gjendjen psiko–sociale të individit është e ndërtuar në mënyrë të tillë që askush të mos ketë mundësi të manipulojë përgjigjet.
Mësuesit të cilët nuk marrin një vlerësim pozitiv nga komisioni nuk e humbin të drejtën për të ushtruar profesionin e tyre.
Ata nuk lejohen të punojnë në shkollën ku është bërë vlerësimi. Këta mësues kanë të drejtë të rivlerësohen në institucione të tjera shkollore.
Vitin e kaluar 3 mësues nuk e kaluan vlerësimin psiko-social.