Nisin javët kulturore ndërkombëtare, Gonxhja: Programe të pasura artistike nga 20 shtete pjesëmarrëse
Edicioni i tretë i Javëve Kulturore Ndërkombëtare çeli siparin e tij përmes një ceremonie të zhvilluar në sheshin “Skënderbej”. Në ceremoninë festive ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë, qytetarë, etj.
Në fjalën e tij, ministri Blendi Gonxhja tha se Javët Kulturore Ndërkombëtare do të zgjasin për 7 muaj rresht deri në nëntor me programe të pasura aktivitetesh nga 20 shtete.
“Ne do t’i fillojmë javët e kulturës me atë që është bashkëpunëtori më i madh, Bashkimi Evropian”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Javët Kulturore Ndërkombëtare nisën me një spektakël dritash dhe efektesh ku performancat artistike të grupeve “Shkodra Elektronike” u ndërthurën bukur me Korin Isopolifonik Shqiptar.
Java e Evropës është e para, e shtrirë në Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë. Kalendari vijon me Francën, Greqinë, Italinë dhe me vende të tjera, ndërsa do të mbyllet me Kosovën në nëntor.